Shkrimi Kreativ për Fëmijë
Gjatë këtyre 8 javëve të fundit, kemi qenë dëshmitarë të kreativitetit dhe imagjinatës së pafund të fëmijëve, të cilët na kanë gëzuar me kurreshtjen e tyre për shkrimin dhe të shkruarit, me zellin për punë dhe me kapacitetin e tyre për të krijuar bota të reja përmes fjalëve. Në këto punëtori, fëmijët kanë mësuar jo vetëm rregullat themelore të shkrimit kreativ, por edhe si të shprehin ndjenjat dhe mendimet e tyre në mënyrë kreative. Ata kanë punuar në krijimin e tregimeve, ndërtimin e dialogjeve dhe teksteve të shkurtra, duke eksploruar temat, llojet dhe zhanret e ndryshme të letërsisë. Ky program synon të rrisë aftësitë kreative dhe analitike të fëmijëve, të zhvillojë aftësitë e leximit të thellë, të zgjerojë shprehjen dhe të ndërtojë njohuri thelbësore rreth gjuhës dhe letërsisë. Në fund të programit, shkrimet e fëmijëve që janë zhvilluar përgjatë punëtorisë do të botohen në një libërth. Punëtoria “Shkrimi Kreativ për Fëmijë” zhvillohet nga organizata ETEA me mbështetje nga Kryeqyteti Prishtina.
Përmbyllja e programit P4C
Jemi të lumtur të njoftojmë se kemi mbyllur me sukses programin tonë Filozofia Për Fëmijë, program i implementuar nga ETEA në bashkëpunim me Shoqata e Filozofëve të Kosovës, nën mentorimin e Taulant Gashi. Gjatë tre muajve të fundit, ne kemi diskutuar dhe kemi provokuar mendime rreth etikës, multikulturalizmit e teknologjisë, kemi zhvilluar lojëra të ndryshme, si dhe kemi aplikuar strategjinë e lexim-kuptimit, duke punuar me librin “Dita e çmendur e profesor Kantit”. Ky ishte një rrugëtim i shkëlqyer për të gjithë ne. Shfrytëzojmë rastin për të uruar përzemërsisht të gjithë fëmijët që përfituan nga programi ynë. Përkushtimi, entuziazmi dhe gatishmëria e tyre për t’u përfshirë në biseda e kanë bërë këtë përvojë të veçantë për secilin prej nesh. Si vlerësim për punën dhe përparimin e fëmijëve në temat filozofike, ne i shpërblyem ata me nga një certifikatë në fund të këtij programi. Jemi krenarë me secilin prej tyre dhe shpresojmë që njohuritë dhe aftësitë e fituara përmes P4C t’i shfrytëzojnë sa më mirë në të ardhmen.