DitA Ndërkombëtare e Poezisë

Një natë e mbushur me art dhe frymëzim Me iniciativën e Drejtorisë së Kulturës së Komunës së Prishtinës, ETEA në bashkëpunim me Biblioteka Hivzi Sulejmani-Prishtinë, u kujdesën për ta shndërruar këtë të fundit një një kënd të të veçantë ku poezia dhe muzika u bashkuan për të festuar ardhjen e pranverës dhe Ditën Ndërkombëtare të Poezisë. Fjalët hapëse nga drejtoresha e kulturës së Komunës së Prishtinës, Sibel Halimi, na e rikujtuan se si arti na bën më të ndjeshëm dhe më të bashkuar. Poetët e poetet Donika Dabishevci, Halil Matoshi, Lulzim Tafa, Naime Beqiraj, Ndue Ukaj dhe Shpëtim Selmani na udhëhoqën në një udhëtim emocional dhe intelektual, duke ndarë me ne krijimet e tyre më të veçanta. Mes leximeve poetike, notat e kitarës së Genc Krasniqit nga Shkolla e Muzikës dhe e Artit “Misbah& Friends” shtuan një dimension të ri në mbrëmje. Programi i Qendrës “Libart” zhvillohet nga organizata ETEA dhe Biblioteka Hivzi Sulejmani Prishtinë me mbështetje nga Komuna e Prishtinës dhe nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë.

“Kapërce detet në krahët e imagjinatës”

“Kapërce detet në krahët e imagjinatës” ishte motoja inspiruese që shoqëroi festimet e Ditës Botërore të Librit për Fëmijë dhe të Rinj, një ngjarje e organizuar nga Biblioteka Hivzi Sulejmani-Prishtinë dhe organizata ETEA. Në një atmosferë të ngrohtë, të mbushur me magjinë e fjalëve dhe imagjinatën pa kufij, Qendra LIBART u bë vendtakimi i dashamirëve të letërsisë së fëmijëve dhe të rinjve. Duke ju ofruar fëmijëve një platformë për të shprehur dhe ndarë krijimtarinë e tyre, kjo ngjarje bëri bashkë nxënësit e shkollave fillore të Prishtinës, talentë të rinj të shkrimit dhe Karvanin e Shkrimtarve “Agim Deva”. Moment i veçantë ishte shpallja e fituesve të konkursit të tregimeve, të organizuar nga biblioteka, ku u shpallën dhe u ndanë tri çmime për tregimet më të mira, duke vlerësuar kështu përpjekjet dhe talentin e fëmijëve të përfshirë. Kjo ngjarje jo vetëm që shërbeu si një festë e librit dhe leximit por edhe si një dëshmi e fuqisë së librit për të bashkuar njerëzit rreth vlerave të përbashkëta të dijes dhe imagjinatës.

Shkrimi Kreativ për Fëmijë

Gjatë këtyre 8 javëve të fundit, kemi qenë dëshmitarë të kreativitetit dhe imagjinatës së pafund të fëmijëve, të cilët na kanë gëzuar me kurreshtjen e tyre për shkrimin dhe të shkruarit, me zellin për punë dhe me kapacitetin e tyre për të krijuar bota të reja përmes fjalëve. Në këto punëtori, fëmijët kanë mësuar jo vetëm rregullat themelore të shkrimit kreativ, por edhe si të shprehin ndjenjat dhe mendimet e tyre në mënyrë kreative. Ata kanë punuar në krijimin e tregimeve, ndërtimin e dialogjeve dhe teksteve të shkurtra, duke eksploruar temat, llojet dhe zhanret e ndryshme të letërsisë. Ky program synon të rrisë aftësitë kreative dhe analitike të fëmijëve, të zhvillojë aftësitë e leximit të thellë, të zgjerojë shprehjen dhe të ndërtojë njohuri thelbësore rreth gjuhës dhe letërsisë. Në fund të programit, shkrimet e fëmijëve që janë zhvilluar përgjatë punëtorisë do të botohen në një libërth. Punëtoria “Shkrimi Kreativ për Fëmijë” zhvillohet nga organizata ETEA me mbështetje nga Kryeqyteti Prishtina.

Qendra LIBART

Organizata etea ka realizuar projektin e ashtu quajtur ‘’Qendra për Edukim dhe Kulturë LIBART, që shërben si qendër multifunksionale ku qëllimi kryesor i së cilës është promovimi dhe kultivimi i kulturës së leximit përmes organizimit të ngjarjeve artistike dedikuar letërsisë dhe filozofisë. E ndërtuar mbi konceptin e bashkëdyzimit të aktiviteteve atraktive dhe ekspozimin ndaj librave në forma të ndryshme dhe emancipimin kulturor dhe social të të gjitha grupmoshave në komunën, me fokus të veçantë tek të rinjët. Me një program të begatë I përbërë nga aktivitete të ndryshme me karakter artistik, kulturor, filozofik dhe argëtues, kjo qendër synon që ta zgjerojë qasjen e qytetarëve në letërsi, duke ofruarn mundësi kreative të ndërthurjes së artit performativ me LIBART.