“Kapërce detet në krahët e imagjinatës” ishte motoja inspiruese që shoqëroi festimet e Ditës Botërore të Librit për Fëmijë dhe të Rinj, një ngjarje e organizuar nga Biblioteka Hivzi Sulejmani-Prishtinë dhe organizata ETEA.
Në një atmosferë të ngrohtë, të mbushur me magjinë e fjalëve dhe imagjinatën pa kufij, Qendra LIBART u bë vendtakimi i dashamirëve të letërsisë së fëmijëve dhe të rinjve.
Duke ju ofruar fëmijëve një platformë për të shprehur dhe ndarë krijimtarinë e tyre, kjo ngjarje bëri bashkë nxënësit e shkollave fillore të Prishtinës, talentë të rinj të shkrimit dhe Karvanin e Shkrimtarve “Agim Deva”.
Moment i veçantë ishte shpallja e fituesve të konkursit të tregimeve, të organizuar nga biblioteka, ku u shpallën dhe u ndanë tri çmime për tregimet më të mira, duke vlerësuar kështu përpjekjet dhe talentin e fëmijëve të përfshirë.
Kjo ngjarje jo vetëm që shërbeu si një festë e librit dhe leximit por edhe si një dëshmi e fuqisë së librit për të bashkuar njerëzit rreth vlerave të përbashkëta të dijes dhe imagjinatës.